Zëvendësimi i dhëmbëve të humbur ka një rëndësi të vecantë për shëndetin dhe estetikën tuaj. Në mungesë të dhëmbëve, muskujt facialë e humbasin tonicitetin e tyre e për pasojë , jo vetëm që reduktohet aftësia për të përtypur ushqime (funksioni përtypës) dhe për të shqiptuar fjalët ( funksioni fonetik), por cënohet edhe estetika meqënëse fytyra merr një pamje të plakur.
Një protezë është një aparat që ka për qëllim të zëvendësojë dhëmbët e humbur duke garantuar funskionin përtypës, fonetik dhe estetikën faciale.
Protezat mund të jenë totale ose parciale.
- Protezat totale përdorën për të zëvendësuar të gjithë dhëmbët e humbur të njërës nofull apo të të dyja nofullave.
- Protezat parciale (të pjesshme) përdoren për të zëvendësuar hapësirat e krijuara si rezultat i heqjes së disa prej dhëmbëve natyrorë. Ato fiksohen në dhëmbët e mbetur në gojë me anë të krosheve (ganxhave) metalike ose me anë të atashmenteve.
Elementët e protezës që zëvendësojnë dhëmbët që mungojnë janë pllaka e protezës dhe dhëmbët artificialë. Pllaka përbën bazën e protezës. Ajo mund të jetë prej akriliku (plastike) ose metali. Dhëmbët artificialë janë prej akriliku dhe përzgjidhen të tillë që të përshtaten me ngjyrën, formën dhe madhësinë e dhëmbëve tuaj natyrorë duke siguruar në këtë mënyrë një efekt estetik optimal.